Biografia - Ethem Aga

Biografia

Jam Ethem Aga, 58 vjeç, i martuar dhe kam dy vajza. Në gati gjashtë dekada, çasti që shënoi rrjedhën e jetës është 2 korriku 1990. Kapërceva murin e Ambasadës Franceze dhe në atë oborr të vogël si emigrant politik fitova lirinë dhe bashkë më shumë të tjerë kuptuam se kapërcimi i atij muri në të vërtetë ishte shembje e ngrehinës së komunizmit.

Më 14 korrik 1990 mbërrij në Francë. Aty nisi jeta tjetër, pa harruar asnjë çast jetën që lashë në Shqipëri, familjen, miqtë, shokët dhe dheun tim. Bashkë me brengën e mallin për njerëzit me vete kisha diplomën e studimeve, e cila nuk qe vetëm një karton, por mundi dhe sakrifica e prindërve dhe familjes sime.

Në Shqipëri mbarova studimet në Institutin e Lartë Bujqesor, dega Agronomi. Në Francë bashkë me disa kurrikula shtesë kreva ekuivalencën e diplomës si Inxhinier Agronom dhe (une école commerce internationale), shkollë për tregti ndërkombëtare.

Në vitet e para kam punur si asistent profesor dhe me pas si profesor (collège de l’Europe à Paris). Pas një eksperience si lektor nisa një tjetër karrierë në sektorin privat fillimisht në Disney land Paris (manager golfi)

Pastaj, drejtor tenik dhe Drejtor i Përgjithshëm i një kompanie golfi “TAIYO INTERNACIONAL”, më e madhja asaj kohe në Francë. Në vendin e lirisë, botën perëndimore kuptova dhe përjetova ndjesinë dhe bindjen se dinjiteti, profesionalizmi dhe ndershmëria shpërblehen.

Kam punuar edhe në institucione shtetërore në UCPA (Ministria e Rinisë dhe Sporteve). Përvoja, kontaktet me personalitete të ndryshme në Francë dhe lidhja e përhershme me Shqipërinë më krijuan bindjen se sipërmarrja private do kthehej në ndihmë për vete dhe familjen në Francë, familjarët e mi dhe komunitetin shqiptar.

Aktualisht kam krijuar ndërmarrjen time dhe njëkohësisht menaxhoj dy komplekse të njohura të fushave të golfit. Në gati 35 vite jeta ime është e pandashme mes Francës dhe Shqipërisë. Kontributi im politik në Partinë Demokratike nis që në themelimin e saj duke mos u shkëpur në asnjë çast, as në kulmin e suksesit as në vështirësitë e saj.

Besoj në vlera dhe këtë aset të çmuar e kam gjetur në PD. Pasuritë më të mëdha që kam janë familja, Atdheu dhe nderi!